Secondary Adv

Kostot e larta ndikojnë te lindjet në Tiranë, bien 5.5 për qind në janar-qershor, rriten qarqet

Numri i lindjeve në Shqipëri shënoi një rënie të lehtë në gjysmën e parë të vitit 2026, por tkurrja është përqendruar kryesisht në Tiranë dhe Durrës.

Në kryeqytet lindjet ranë me 5.5%, ndërsa në pjesën tjetër të vendit, pa përfshirë Tiranën, ato do të rezultonin në rritje me rreth 3.1%.


Në rang kombëtar u regjistruan 10,229 lindje në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, me një rënie vjetore prej 1%, ose 108 lindje më pak. Vetëm në qarkun e Tiranës, numri i lindjeve zbriti nga 5,022 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 në 4,748 në të njëjtën periudhë të vitit 2026, ose 274 lindje më pak. Kjo përbën rënien më të madhe si në numër absolut, ashtu edhe për nga ndikimi në rezultatin kombëtar.


Pa përfshirë Tiranën, lindjet në pjesën tjetër të vendit do të kishin shënuar një rritje me 166, ose rreth 3.1%. Pesha e Tiranës në numrin e përgjithshëm të lindjeve ra nga 48.6% në 46.4% brenda një viti. Deri para tre vitesh, kryeqyteti kishte një bilanc pozitiv të lindjeve, i ndikuar edhe nga zhvendosja e të rinjve nga qarqet drejt Tiranës.


E njëjta prirje vihet re në Durrës, ku lindjet u pakësuan me 5%. Të marra së bashku, Tirana dhe Durrësi regjistruan 327 lindje më pak, ndërsa të gjitha qarqet e tjera patën një shtesë prej 219 lindjesh.


Kostoja e banesave rëndon mbi familjet e reja në Tiranë


Ecuria e lindjeve përkon me rritjen e kostove të jetesës në qendrat më të mëdha urbane. Tirana përqendron pjesën më të madhe të vendeve të punës, investimeve dhe shërbimeve, por njëkohësisht ka përjetuar një rritje të fortë të çmimeve të apartamenteve, qirave dhe shërbimeve. Për çiftet e reja, sigurimi i një banese, pagesa e kredisë ose qirasë dhe kostot e kujdesit për fëmijët po marrin një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave.


Në fillim të korrikut, çmimi mesatar i apartamenteve me qira për të gjitha tipologjitë e pronave për banim në kryeqytet arriti në 721 euro në muaj, sipas agjencive imobiliare. Me këtë nivel qiraje dhe duke marrë si referencë pagën mesatare mujore bruto të publikuar nga INSTAT për tremujorin e parë 2026, një individ që jeton në kryeqytet duhet të shpenzojë rreth 77% të të ardhurave mujore bruto ose 97% të të ardhurave neto vetëm për përballimin e kostos së strehimit.


Edhe blerja e një banese është bërë gjithnjë e më e vështirë për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Tirana renditet e katërta në Europë për papërballueshmërinë e banesave, sipas raportit mes çmimeve dhe të ardhurave.


Doris Andoni, konsulente e pavarur e angazhuar me institucione ndërkombëtare dhe me një karrierë të gjatë në administratën publike në çështjet e strehimit, ka vlerësuar më herët për “Monitor” se zhvillimi rezidencial në kryeqytet është i pabalancuar dhe i përqendruar, duke rritur presionin mbi infrastrukturën dhe duke e bërë strehimin gjithnjë e më pak të përballueshëm për shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme.


“Këto shtresa po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal”, ka pohuar Andoni.


Bie Tirana, rriten lindjet në shumicën e qarqeve


Rënia e lindjeve në Tiranë tregon se avantazhet ekonomike të kryeqytetit nuk po shoqërohen domosdoshmërisht me kushte më të favorshme për krijimin ose zgjerimin e familjes. Kostot e larta mund të ndikojnë që të rinjtë të shtyjnë lindjen e fëmijëve, të kufizojnë numrin e tyre ose të zhvendosen drejt zonave ku strehimi dhe jetesa janë më të përballueshme.


Në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë, numri i lindjeve u rrit. Fieri regjistroi shtesën më të lartë, me 69 lindje më shumë ose 9.9%, ndërsa Berati shënoi rritje me 11.1%, Dibra me 9.4% dhe Kukësi me 8.7%. Rritje pati edhe në Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, ndërsa Korça mbeti e pandryshuar.


Krahas Tiranës dhe Durrësit, rënie shënoi vetëm Gjirokastra, me 19 lindje më pak. Gjirokastra përbën një rast të veçantë për shkak të strukturës së plakur të popullsisë. Përqendrimi i rënies së lindjeve në Tiranë përkon me presionin në rritje që çmimet e banesave dhe shpenzimet e përditshme po ushtrojnë mbi familjet e reja.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat